Rilindja e 17 korrikut: Shenjat që kalojnë në dy cikle pastrimi
18 muajt e fundit kanë qenë mbyllja e një cikli shumë të rëndë që filloi në vitin 2012\2013 dhe zgjati rreth një dekadë e cila po mbyllet tani. Është si të shkosh fillin në gjilpërë pasi ke 5 orë që dështon. Në 19 janar 2022, boshti nyjor hyri tek Akrepi dhe Demi dhe tani, hyn në boshtin e ri tek Peshorja dhe Dashi në 17 korrik 2023. Kjo ndikon në disa shenja të zodiakut ndryshe nga të tjerat, që do të thotë se disa shenja do të fillojnë cikle të reja dhe të tjera do të duhet t'i japin fund cikleve të vjetra.
Çfarë është një bosht nyjor?
Nyjet veriore dhe jugore ose ato që ne i quajmë nyjet e hënës konsiderohen si nyjet e fatit, sepse ato përshkruajnë ciklin karmik që përfundon dhe fillon ciklin e ri. Ne e ndjekim këtë bosht sepse na ndihmon të përcaktojmë eklipset dhe si rrjedhojë, ndryshimet e mëdha dhe zhvendosjet e papritura.
Pse disa shenja preken dy herë?
Për shkak se nyjet hynë në Akrep dhe Dem në 19 janar 2022 dhe do të ikin nga aty në korrik 2023, ky bosht nyjor do të shfaqet në dy rikthime diellore për 7 shenja të zodiakut për 2 vjet rresht.
Çfarë është rikthim diellor?
Harta juaj e lindjes është një pamje e qiellit në momentin kur keni lindur. Nëse hapni hartën tuaj, do të shihni se çdo planet ka një grad të caktuar. Për shembull, nëse keni lindur në 7 dhjetor, dielli juaj ndoshta do të jetë në 14 gradë Shigjetar. Pas lindjes tuaj universi nuk ndalon, planetët vazhdojnë të lëvizin dhe Dielli, çdo vit, kthehet në 14 gradë Shigjetar (kjo ditë ndryshon për shkak të gjatësisë së vitit). Në minutën që e arrin gradin e caktuar, ne e mbajmë shënim dhe hapim hartën e momentit dhe kjo hartë është rikthimi juaj diellor. Urime, sapo keni marrë parashikimin tuaj vjetor deri në ditëlindjen tjetër nga Dielli.
Kjo është natyra e cikleve karmike. Ato fillojnë papritur dhe përfundojnë në mënyrën më intensive. Megjithatë, nuk mund ta mohojmë se këto muajt e fundit kanë treguar atë që duhet të shërohet, megjithëse në një mënyrë mjaft intensive.
Çdo shenjë duhet të ndeshet ballë për ballë me zona të caktuara në jetën e tyre ku po ndodh bllokimi dhe karma, ndonjëherë ky është proçes mjaft i rëndë. Megjithatë, gjysma e zodiakut ende po pastron gjysmën e dytë të ciklit të parë Dem-Akrep (Të gjithë të lindurit para 17 korrikut ) dhe ky cikël deri në ditëlindjen tuaj të ardhshme do të ketë të bëjë me heqjen e atyre që nuk ju duhen dhe pastrimin e jetës nga çdo gjë e panevojshme dhe e tepërt.
Cilat janë shenjat që do të mbyllin ciklet e vjetra?
Dashi:
Ju jeni një nga shenjat që po kalon një raund të dytë pastrimi dhe ky cikël filloi herët për ju. Këtu kemi të bëjmë me pikëllimin, humbjen apo edhe ndjenjën e të qenit të heshtur/padukshëm. Këtu hyjmë në sferën e “po sikur” dhe “ç'mund të ishte, ç'duhet të ishte” të jetës. Është e lehtë të ndëshkosh veten për të kaluarën, veçanërisht kur je vulnerabël. Kur jemi të mërzitur, zemërimi duhet të shkojë diku dhe kur nuk trajtohet siç duhet, është shumë e lehtë ta drejtosh te vetja dhe kjo mund të shfaqet në reagime ekstreme ndaj gjërave të zakonshme. Boshti ku kjo energji po lëviz për ju është ai i shtëpisë së dytë dhe të tetë. Ky aks realisht nuk është fushë me lule, është boshti më i vështirë. Ne e fshehim atë që kemi frikë në shtëpinë e 8-të, d.m.th frikën e braktisjes, humbjes, tradhtisë dhe ndjenjat e humbjes dhe është e lehtë të zgjedhësh të izolohesh kur kjo energji zgjohet. Ju jeni një luftëtar dhe gjëja më e vështirë për luftëtarët është të pushojnë. Mos e ngatërroni pushimin me humbjen.
Kur vjen puna tek dashuria, shumica e këtij cikli për ju ka të bëjë me shërimin nga përvojat e mëparshme të shkeljes së besimit tuaj, të cilat mund të kenë rezultuar në humbje, si financiare, emocionale ose të tjera. Ky aks flet për plagët që kemi marrë dhe udhëtimin për tu ribashkuar me pjesë të vetes dhe për të ndjerë sërisht lumturinë. Kjo aplikohet tek dashuria për veten. Përvojat e mëparshme të frikës dhe humbjes mund të jenë arsyeja e fshehur përse marrëdhëniet në jetën tuaj vazhdojnë të përjetojnë dinamikën e shtytjes dhe tërheqjes. Keni nevojë për shërim që vjen ngadalë dhe me durim për të ndërtuar një ndjenje besimi në lidhjet e reja që janë vërtet të nevojshme tani.
Demi:
Ju jeni një nga shenjat që po kalon raundin e dytë të pastrimit. Ky vit ju testoi në një nivel personal. Testoi dhe vështirësoi ndjenjën tuaj të individualitetit, vitalitetit dhe stabilitetit në jetën dhe marrëdhëniet tuaja personale. Kur portalet e tilla nyjore kaq të vështira si këto janë të hapura, ju jeni të parët në radhët e vuajtjes, sepse shenja juaj përfaqëson shijimin e jetës, paqen dhe kënqësinë. Ju jeni shenja e thithjes së vitaminës D dhe ushqimit të shijshëm në një ditë të bukur vere dhe kjo bëhet veçanërisht sfiduese kur një portal paqëndrueshmërie hapet.
Shumica prej jush mund të kenë patur një dramë të veçantë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet romantike, megjithatë, kjo varet më shumë nga shenja juaj e Venusit. Për shembull, nëse Venusi juaj është në Binjak, drama ka ndodhur në lidhje me tematikat si një rivalitet i vëllezërve dhe motrave, shërimi i plagëve familjare dhe ndoshta për herë të parë, mund të keni dashur të flisni për atë që vërtet dëshironi t'i thoni familjes tuaj. Disa me Venusin në Dem, janë testuar në përvojën e stabilitetit financiar, në perspektivat e reja të marrëdhënieve dhe tek plagët nga dhimbjet shpirtërore dhe emocionale që çlirohen nga e kaluara.
Për shkak se ky është raundi i dytë i pastrimit për ju, tematika këtë vit do të jetë më shumë për zgjidhjen e çështjeve të vjetra që kanë të bëjnë me dhimbjen e refuzimit ose braktisjes në marrëdhënie. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ju, sepse disa prej jush, po çlirohen nga marrëdhëniet aktuale ose nga fantazma e marrëdhënieve të vjetra që ju penguan të jeni vetvetja juaj e plotë ose të ndiqni ëndrrat tuaja.
E gjitha kjo ka të bëjë me perspektivën e stabilitetit në shtëpi dhe marrëdhëniet familjare dhe do të kemi një periudhë të shumëpritur qetësie që vjen pas shumë paqëndrueshmërie.
Binjakët:
Ju jeni një nga shenjat që po kalon një raund të dytë pastrimi. Ky ishte një vit veçanërisht interesant për ju. Nëse shikojmë simbolikën e vitit, gjërat e dukshme janë shëndeti, puna dhe autoriteti juaj, por këto mund të jenë ato që ju bëjnë të ndiheni të bllokuar ose të mos kini shumë besim në vetvete.
Të gjitha këto ndodhin në boshtin tuaj të 6-të dhe të 12-të të subkoshiencës dhe moralit, ndaj mund të nxisin një ndjenjë turpi ose sikur jeni më të vegjël se të tjerët. Ky pastrim i dytë për ju ka të bëjë me çlirimin e ndjenjave të indiferencës, turpit ose fajësisë e të ndjerit "jo mjaftueshëm". Nëse shqyrtojmë tranzitat e Venusit të viteve të kaluara, padyshim që po flasim për një lidhje dashurie apo dëshirë ose ndjenja të paplotësuara/pafrytshme për dikë, gjë që ka shkaktuar këto ndjenja paqëndrueshmërie.
Kur shikojmë shtëpinë e 6-të ku ndodhën eklipset për ju në 18 muajt e fundit, po flasim për një shtëpi që përfaqëson shumë gjëra që lidhen me punën e palodhur, rutinën dhe nevojën për strukturë, por shtëpia e 6-të përfaqëson gjithashtu një pjesë të traumës ndër breza që ka të bëjë me familjen e babait ose familja më e madhe, jo bërthama. Kjo flet për dinamikën e konkurrencës në familje ose krahasimin i cili sjell mendimin e tepërt, ndjenjën e gjykimit ose frikën e shfaqjes së vetvetes. Është shumë e lehtë të përshtatësh duke pranuar më pak për shkak të fjalimit negativ që mund të drejtoni vetvetes. Kjo ju jep mundësinë të ndryshoni dinamikën, të hiqni dorë nga "trashëgimia" toksike që ju bën të ndiheni të varur ose të dënuar të përsërisni gabimet e të kaluarës.
Ky vit ju mundëson të hiqni dorë nga fjalët si "supozohem" dhe "duhet" nga fjalori juaj dhe të filloni të jetoni momentin. Disa prej jush do të kenë mundësinë e lëvizjes në distanca të gjata dhe mundësive të reja të të mësuarit jashtë vendit.
Gaforrja (ditëlindja para 17 korrikut):
Ju jeni një nga shenjat që po kalon një raund të dytë pastrimi. Për ju, Gaforre, tranzita ka qenë për lidhjet tuaja të dashurisë, krijimtarinë dhe fëmijët. Këto janë zona në jetën tuaj ku shpesh ndesheni me lojëra pushteti qoftë me mohim, shqetësime të vazhdueshme apo frikëra të tjera që shpesh pengojnë ose vonojnë shprehjen.
Edhe pse shërimi këtu ka të bëjë me marrjen e kontrollit të fuqisë suaj personale dhe përdorimin e saj për përfitimin tuaj, viti i kaluar përfaqësoi frikën e zgjimit plotësisht të dëshirave dhe të jetuarit në maksimum. Është elementi i shtëpisë së 5-të që dëshiron të shkëlqejë dhe kur nuk mund të shkëlqejë plotësisht, kthehet në frikë të brendshme, se mos humb kohën dhe potencialin.
Boshti i 5-të dhe i 11-të flasin për nevojën që të "dilni" nga stresi dhe vetja juaj dhe të bëheni bashkë me komunitetin tuaj të besuar. Është mëse në rregull të hidhni hapa të vegjël kur bëhet fjalë për atë që dëshironi të arrini. Më e rëndësishmja për tu kuptuar këtu është kreativiteti i ndrydhur, dëshira dhe nevojat seksuale që kthehen lehtësisht në zemërim. Zemërimi i ndrydhur nga ana tjetër kthehet lehtësisht në mpirje dhe zhgënjim. Teksa këto përvoja vazhdojnë të kthehen lehtësisht në zhgënjime të mëtejshme, ky është një shans për tu shfrytëzuar në mënyrë që të sjellë shërimin tuaj, të kthehet në fuqi dhe të përjetohet si një triumf mbi ndjenjën e braktisjes kur bëhet fjalë për përvojat krijuese dhe romantike. Kjo është pika e fundit që duhet të triumfoni mbi të.
Ky raund i dytë i pastrimit për ju ka të bëjë me gjetjen e rrënjëve të frikës brenda vetes, zemërimit dhe mpirjes që pengojnë kreativitetin dhe ndjenjën tuaj të kënaqësisë. Për disa prej jush, ky shërim padyshim do të kompensohet nga shkëndija të reja spontane aventure dhe romance.
Bricjapi (ditëlindja pas 19 janarit):
Ju jeni një nga shenjat që po kalon një raund të dytë pastrimi. Për ju, Bricjap, ky cikël flet drejtpërdrejt për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë viteve të adoleshencës dhe pasqyrimin e tyre në jetën tuaj personale dhe profesionale.
Boshti që kjo energji prek është shtëpia juaj e 11-të (Akrepi) dhe e 5-të (Demi) dhe këto shtëpi kanë të bëjnë kryesisht me shoqërinë dhe përvojat tona personale. Në përgjithësi, shtëpia që prek Akrepi në çdo hartë flet për përvojat ku përjetoni ulje-ngritje të mëdha, tranzicione të forta dhe për ju, kjo është shtëpia e lidhjeve shoqërore, komunitetit tuaj, kolegëve dhe ëndrrave në jetë.
Fare lehtë mund ta quajmë shtëpinë e 11-të si rrjetin tuaj, por në fakt lidhet edhe me trashëgiminë tuaj amtare, dinamikat e fuqisë që kanë të bëjnë me ëndrrat e nënës suaj dhe marrëdhënien tuaj me të. Kur Akrepi është në kulmin e shtëpisë së 11-të, ne shohim gjërat që njerëzit nuk duan të shohin tek vetja.
Energjia e Akrepit njihet për ekstremitetin; ndjenjat e pafuqisë që ndiqen nga fuqia ekstreme. Për ju Bricjap kjo do të thotë se mund të keni zbuluar se jeta juaj, 18 muajt e fundit, ishte tabloja e përsosur për frikën e humbjes së statusit, lidhjeve, miqësive dhe ndjenjës së bllokimit kur bëhet fjalë për të ardhmen.
Kjo ndodh sepse kur jeni në mes të kësaj tranzite ju po mbijetoni dhe alarmi i mbijetesës kujdeset vetëm për të tashmen, jo për çfarë do të vijë më pas. Akrepi është një shenjë marsiane, natyra e tij është sulmuese dhe ndaj për ju Bricjap, reputacioni mund të jetë pika e dobët që armiqtë mund të përpiqen të godasin.
Ky raund i dytë për ju ka të bëjë me çlirimin nga e kaluara. Për ju kjo sjell rikrijimin e një ndjenje stabiliteti që ndihmon në largimin e ndjenjave të turpit, të cilat mund t'ju shtyjnë të fshiheni ose të ngecni. Ky cikël ka të bëjë me rizgjimin e një dëshire për të njohur veten përsëri, gjë që ju shtyn të hiqni dorë nga mënyra sesi të tjerët mund t'ju shohin dhe të shkoni më shumë drejt asaj që ju përmbush.
Ujori:
Ju jeni një nga shenjat që po kalon një raund të dytë pastrimi. Si shenja e fundit fikse në zodiak, ju jeni më kokëfortë nga të gjithë. Ky cikël shpalosi drejtpërdrejt lojërat e pushtetit për reputacionin dhe lojërat e fuqisë profesionale. Një pjesë e madhe e fenomenit të kundërshtimit që bën Akrepi tek planetet tuaja, ka të bëjë me frikën për të qenë haptazi vetvetja. Efekti i kësaj energjie krijon një ndjenjë sikur jeta dhe e ardhmja janë një shkretëtirë e egër dhe e thatë.
Teksa kjo tranzitë po na shtyn drejt rindërtimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për karrierën dhe pavarësinë tuaj, ekziston edhe aspekti i saj që flet për lojërat e pushtetit kur bëhet fjalë për reputacionin dhe punën. Kjo, në thelb, sjell në jetë dinamikat që kanë ndodhur në fëmijërinë tuaj, të cilat po dalin në sipërfaqe për t'u trajtuar. Një pjesë e misionit tuaj karmik është të njihni se si funksionojnë strukturat e pushtetit në mënyrë që të kuptoni se si ti xhongloni ato si një udhëheqës i ndryshimit.
Efekti i këtij cikli krijoi një nevojë për të pastruar disa dinamika të pushtetit në sistemin tuaj familjar dhe në karrierën tuaj. Teksa këto dinamika pasqyrojnë njëra-tjetrën në mënyrën se si mund t'ju bëjnë të ndiheni të izoluar, ka një mësim sesi të hyni në fuqinë tuaj në vend që të komprometoni veten duke u sakrifikuar ose arratisur.
Pastrimi i këtij viti ka të bëjë me plagët e vjetra që lidhen me disponueshmërinë emocionale dhe marrëdhëniet e kaluara, pasi ky vit është udhëtimi në rrugën drejt shërimit të plagëve të mëparshme. Shumë Ujorë janë gati të hapin dyer të reja në karrierën e tyre, pavarësinë financiare dhe të ardhmen. Dyer të cilat mund të dukeshin si të pamundura më parë.
Peshqit:
Ju jeni një nga shenjat që po kalon një raund të dytë pastrimi. Për Peshqit kjo është një përplasje e drejtpërdrejtë midis së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Nga njëra anë, ju mund ta ndjeni transformimin dhe hapat që po hidhni përpara dhe nga ana tjetër, keni tërheqjen e kujtimeve të së kaluarës, përvojave dhe frikës.
Ky cikël për ju solli kujtime që u regjistruan drejtpërdrejt në instinktin tuaj të mbijetesës. Rrënja e këtyre përvojave ka të bëjë me përvojën tuaj të të qenit krejt ndryshe nga të gjithë të tjerët rreth jush. Kjo mund të jetë arsyeja pse ju mund të keni përjetuar disa ndjenja dhe mendime që ju shtynin të izoloheshit, pavarësisht nëse kjo ndodh në punë, jetë personale, me miqtë apo familjen.
Viti 2022 me gjithë bllokimet dhe rifillimet e tij të rënda pati intensitetin më të madh për ju në dhjetor. Kjo nxori në pah shumë modele jofunksionale që vijnë nga familja dhe veçanërisht vëllezërit e motrat. Kjo mund të jetë shfaqur edhe në jetën tuaj profesionale si konkurrencë, rivalitet ose mund të ketë qenë gjithandej e shoqëruar me ndjesinë e mbylljes së dyerve nga çdo drejtim.
Gjëja më e mirë, në anën tjetër të kësaj energjie, është se ajo hap horizonte të reja në jetë, intelektualisht dhe financiarisht për ju. Sfida këtu, dhe kjo është ajo që kjo energji po përpiqet të pastrojë, janë standardet ose mënyrat joreale e të parit të jetës. Detyra juaj këtu është të personalizoni përvojën tuaj në vend që të ndiqni atë që po ndjekin gjithë të tjerët.
Ky vit po pastron ndjenjën sedentare, po i jep fund mbylljes në vetminë tuaj dhe pranimit të ideve të njerëzve të tjerë për ju, jetën dhe vlerën tuaj si e vërteta përfundimtare. Kjo ka të bëjë me ndërtimin e një themeli intelektual për veten gjë që do t'ju ndihmoj të ngriheni në një nivel më të lartë fizikisht dhe shpirtërisht.
Bashkëvuajtësja juaj,
Kristal
xoxo